Partia SVP-UDC, ashtu siç ishte paralajmëruar, e ka dorëzuar sot në institucionin përkatës iniciativën e ashtuquajtur “të zbatimit”. Mbi 150 mijë nënshkrimet për këtë iniciativë ajo i ka grumbulluar brenda gjashtë muajve.
Përmes kësaj iniciative SVP synon konkretizimin dhe zbatimin në jetë të iniciativës për dëbimin e të huajve me dosje krimi, e cila qe votuar nga populli para dy vitesh.
Në iniciativën e re radhiten në mënyrë të detajuar deliktet për të cilat të huajt, sipas kësaj partie, duhet të dëbohen nga Zvicra. Nga frika se iniciativa e votuar nuk do të jetësohet ashtu siç është përpiluar, SVP-UDC ka ndërmarrë iniciativën e re. Propozimin e qeverisë për jetësimin e saj, SVP-ja e konsideron si “tepër të butë”.