Dy autobus të pelegrinëve serb është sulmuar në fshatin Studenicë të Istogut.
Sipas policisë dy autobusët po bartnin 170 pelegrinë serb të cilët kishin leje për vizitën në Manastirin e Studenicës.
“Vizitorët diku rreth orës 13:15 sipas kërkesës që e kanë parashutuar për vizitë e një grupi rreth 170 persona që kanë bërë vizita në monumentet e kultit të tyre. Diku rreth orës 14:00 ata kanë arritur në fshatin Studenicë dhe e kanë kryer të gjithë ceremoninë fetare në këtë fshat në Manastirin e Studenicës dhe pas një kohe aty kur janë përgatit për nisje dhe dikush i ka gjuajtur me gurë dhe ia kanë dëmtuar xhamat e autobusit. Sipas informacioneve që ne kemi, autobusët kanë qenë me targa të Beogradit. Njërit autobus i janë dëmtuar tre xhama derisa në autobusin tjetër është dëmtuar xhami i përparmë. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar”, ka thënë Xhevat Ibraj nga policia për mediat vendore.
Në lidhje me këtë incident policia ka ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe ka njoftuar prokurorinë.
Për sulmin ndaj pelegrinëve serbë ka reaguar edhe drejtori i Zyres për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë për këtë sulm.
Madje Gjuriq, i ka quajtur sulmuesit ekstremistë fetarë.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka dënuar sulmin duke kërkuar që rasti të zbardhet.