Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka bërë thirrje për shtimin e kontrolleve kufitare pasi dy tifozë suedezë të futbollit u vranë dje në një sulm në Bruksel.
“Në Suedi dhe në BE duhet të kontrollojmë më mirë kufijtë tanë”, tha Kristersson, duke shtuar se autori i dyshuar, i cili u qëllua për vdekje nga policia belge sot në mëngjes, kishte qenë në Suedi për disa kohë përpara sulmit.
Dy shtetas suedezë u qëlluan për vdekje dhe një person i tretë u plagos dje në atë që kryeministri belg, Alexander De Croo, e quajti një ‘sulm terrorist’, transmeton dpa, përcjell albinfo.ch.
Pas sulmit qeveria ndërmori masa të shtuara sigurie në një numër vendesh të ndjeshme, veçanërisht në vendet e lidhura me komunitetin suedez.
I dyshuari besohet të jetë një shtetas tunizian, kërkesa e të cilit për azil ishte refuzuar.
Kristersson e përshkroi sulmin si gjakftohtë.
“Gjithçka tregon se ky është një sulm terrorist i drejtuar kundër Suedisë dhe qytetarëve suedezë vetëm sepse janë suedezë”, tha ai.