Në fillim të pandemisë, Doruntina kishte krijuar një platformë për të gjithë profesorët e Vjenës që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Platforma e quajtur “Survival Guide” nuk u shpërnda vetëm në Universitetin e Juridikut në Vjenë, por edhe në universitet e tjera në Austri.
Falë këtij suksesi, Doruntina ishte nominuar për këtë çmim nga Universiteti i Vjenës për kontributin e saj në udhëheqjen e projektit për zhvillimin e mësimit digjital. Ajo ishte e vetmja shqiptare në mesin e shumë nacionaliteteve të huaja dhe ia arriti të dalë fituese.
Albinfo Austria, që në muajin tetor ishte e para që kishte bërë një prezantim të shkurtër për Doruntinën dhe kishte kërkuar nga bashkatdhetarët që të votojnë online për studenten shqiptare. Pas këtij prezantimi, bashkatdhetarët tanë u sensibilizuan, duke shpërndarë faqen në masë të madhe se ku duhet të votohet. E gjithë kjo, pati sukses. Sot, Doruntina me çmimin e saj na bën krenarë të gjithëve!
Çmimin ua dedikoj femrave shqiptare
Më 18 nëntor ishte mbyllur votimi, ndërkohë më 26 nëntor në një organizim online që u mbajt sot në Vjenë, janë bërë të ditur edhe fituesit.
Për shkak të situatës së pandemisë, edhe ndarja e çmimeve është bërë online. Pak kohë pas shpalljes së fitores, Doruntina e konfirmon për Albinfo Austria. “Është një ndjenjë jashtëzakonisht e pa përshkrueshme. Është vlerësuar puna dhe mundi im”, thotë Doruntina, duke falënderuar gjithë shqiptarët për mbështetjen dhe votën e tyre. “Këtë çmim ua dedikoj gjithë shqiptarëve, në veçanti femrave shqiptare”.
Doruntina Berisha studion për Juridik dhe Fizikë në Universitetin e Vjenës. Në vitin 2017 ajo u pranua asistente në Departamentin e Inovacionit dhe Digjitalizimit të profesor Nikolaus Forgo në Fakultetin Juridik.
Semestrin vjeshtor të vitit 2019 ajo e përfundoi në Universitetin e Santa Clara në Silicon Valley (Kaliforni, Amerikë), ku u specializua në IT-, IP për ligjin dhe mbrojtjen e të dhënave me një fokus të veçantë në Inteligjencën Artificiale dhe „Legal Tech“.
Doruntina ka publikuar dy kapituj të një libri: një artikull për ligjin dhe mbrojtjen e të dhënave dhe një tjetër për ligjin e IP-së. (Intellectual Property Law).