Studentët e Universiteti të Tiranës dhe të Politeknikut kanë protestuar përpara ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, për të kërkuar anulimin e tarifës për provimet e prapambetura, transmeton albinfo.ch.
Protesta nisi në Universitet dhe më pas ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku i bën thirrje ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, të anulojë vendimin. Sipas tyre, tarifa është e lartë dhe nuk mund të paguhet vetëm me një këst. Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve, të cilët kundërshtojnë tarifat.
Në përgjigje të një komentuesi, Rama thotë se taksapaguesit nuk duhet të paguajnë shpenzimet e universitetit për studentet ngelës.
“Ministrja s’është as pa shkolle as me UFO, ndryshe nga çfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanet mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentet ngelës? Unë për vete nuk jam dakord, e para dhe, e dyta, nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vetë universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare)”, ka shkruar Rama.