Shoqata nga Gjeneva “Communauté genevoise d’action syndicale” (CGAS) ka fituar drejtësinë përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strassburg, transmeton albinfo.ch. Gjykata është e mendimit se ndalimi i demonstratave i vendosur nga autoritetet zvicerane për shkak të pandemisë Covid 19 cenonte lirinë e tubimit.
CGAS kishte paraqitur ankesë në GJEDNJ më 26 maj 2020 pasi ishte detyruar të anulonte demonstratën e saj të 1 Majit, shkruan srf.ch. Tubimet, të cilat ishin ndaluar nga Këshilli Federal në bazë të Urdhëresës 2 Covid, u lejuan sërish më 20 qershor 2020 me kusht që mbajtja e maskave të ishte e detyrueshme.
Në vendimin e dhomës së saj, Gjykata konstaton se ndalimi i demonstratave i vendosur nga 16 marsi 2020 ishte në disproporcion me objektivat e ndjekura – veçanërisht për shkak të kohëzgjatjes së tij dhe ashpërsisë së sanksioneve të parashikuara.
CGAS-it i jepet një kompensim prej 3,000 eurosh për shpenzimet e bëra, që do të përballohen nga Zvicra. (Aktgjykimi nr. 21881/2020)
Vendimi i GJEDNJ-së tashmë është një vendim i shkallës më të lartë. Ai thotë: Kufizimet e lirisë së tubimit janë të mundshme, por jo sipas dëshirës së një qeverie.