Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës, në bashkëpunim me Unionin e Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, të shtunën në Drenas është zhvilluar finalja e Superkupës mbarëkombëtare.
Në këtë finale janë takuar, Feronikeli si fitues i Kupës së Kosovës, si dhe FC Kosova Zurich, si fituese e Kupës së Diasporës për vitin 2019.
Në këtë ndeshje ku rezultati ishte në plan të dytë, është zhvilluar një lojë e mirë nga të dyja skuadrat, sidomos në fillimin e ndeshjes, derisa më pas Feronikeli ka marrë lojën në duar, duke fituar me rezultat 5:1.
Golat për Feronikelin u shënuan nga Kastriot Rexha, Albert Dabiqaj, Mendurim Hoti në pjesën e parë dhe Haxhi Neziraj e Ardi Qorri në pjesën e dytë.
Golin e vetëm për skuadrën e Kosovës së Cyrihut e ka shënuar Adonit Fetaj në minutën e 50-të.
Në këtë ndeshje më shumë e rëndësishme ishte mikëpritja e vendasve apo edhe atmosfera e mirë gjatë gjithë ndeshjes se sa rezultati i takimit.
Në këtë ndeshje kishte mysafirë nga institucionet e Kosovës dhe diasporës, si dhe Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur në një Kampionat Evropian.
Pas ndeshjes të dyja skuadrat janë mbledhur në një drekë të përbashkët.
Kosova e Cyrihut është skuadra më e suksesshme shqiptare në Zvicër, ku tani garon në Ligën e Katërt të Zvicrës dhe në ekipin e saj ka lojtarë të të gjitha kombësive.
Kuqezinjtë po përfaqësojnë më së miri shqiptarët në Zvicër, derisa shpresojnë se në të ardhmen do të arrijnë suksese edhe më të mëdha.







