Sot, qytetarët me të drejtë vote do të vendosin në referendum për dy iniciativa popullore në nivel vendi.
Fjala është për iniciativën popullore “Për kompanitë e përgjegjshme – për të mbrojtur njerëzit dhe mjedisin” dhe “Për ndalimin e financimit të prodhuesve të materialeve të luftës”, shkruan srf.ch.
Projekt-ligji i iniciativës së parë kërkon që kompanitë me qendër në Zvicër të respektojnë edhe jashtë vendit të drejtat e njeriut dhe standardet mjedisore të njohura ndërkombëtarisht, transmeton albinfo.ch.
Iniciativa e dytë “Për ndalimin e financimit të prodhuesve të materialeve të luftës” kërkon që Banka Kombëtare Zvicerane, fondacionet dhe institucionet pensionale shtetërore dhe profesionale të ndalohen të financojnë prodhuesit e materialeve të luftës.
Në të njëjtën kohë, sot, në njëmbëdhjetë kantone, elektorati vendos për disa çështje kantonale.
Kështu në kantonin Basel-Stadt, qeveria plotësohet përmes raundit të dytë të votimit dhe zgjidhet kryetari i qeverisë.
Ndër votimet në nivele komunash, vlen të përmenden sidomos zgjedhjet në qytetin e Bernës.