Sonte në mesnatë festohen Kërshëndellat, të cilat festohen qe dy mijë vjet ndër shqiptarët. Festa e krishtlindjes sivjet karakterizohet edhe me 100 vjetorin e lindjes së shenjtores Nëna Terezë, ndërsa mesha e mesnatës do të mbahet në katedralen Nëna Terezë në Prishtinë.
Personalitete të ndryshme vendore e ndërkombëtare do të bëjnë vizita tek Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, e më pas ky i fundit do të japë një mesazh me rastin e Krishtlindjes.
Me këtë rast, Dom Lush Gjergji për Radio Kosovën ka thënë veç tjerash se vetë Nata e Krishtlindjes ka në fokus familjen dhe vlerën e saj, prandaj ai bën thirrje që në qendër të vëmendjes të kthehet jeta dhe vlera e familjes si vlerë kryesore e shoqërisë. “Në qendër të vëmendjes të festës së kërshëndellave është familja, sepse kremtojmë foshnjën hyjnore, kremtojmë zojën Mari, e cila ishte bashkëpunëtore e shkëlqyer dhe e përsosur e planit të Zotit, festojmë Shën Zefin”, ka thënë ai.
Krishtlindja është festë zyrtare në Kosovë. Atë e shënojnë edhe besimtarët tjerë.”Ne jemi mbi të gjitha vëllezër shqiptarë dhe ndarja fetare nuk ka ndodhur as me dëshirën dhe kërkesën e me nevojën tonë, por ajo ka ndodhur në rrethana që tashmë dihen, por ajo nuk e ka cunguar qenien tonë kombëtare që jemi shqiptarë”, ka thënë Dom Lush Gjergji.
Besimtarët katolikë dhe monsinjor Dodë Gjergjin për Krishtlindjet i kanë përgëzuar PLK-ja dhe AKR-ja.