Tragjedia që ka ndodhur të enjten në Lampedusa, në të cilën dyshohet se kanë humbur jetën rreth 300 refugjatë, ka shkaktuar dhembje te të gjithë. Edhe ministrja zvicerane e drejtësisë, Simonetta Sommaruga, e cila po merr pjesë në konferencën e OKB-së për migracionin ka shprehur dhembjen dhe njëherësh zemërimin e saj me këtë që ka ndodhur.
Ajo ka thënë me këtë rast se numri i madh i atyre që kanë pësuar në aksidentin e rëndë të anijes me refugjatë, flet për përmasat e mëdha që ka marrë trafiku me qenie njerëzore.
Ky trafik, sipas ministres, sot „është shndërruar në një industri, një biznes gjigant që njerëzve u qaset me shpërfillje totale“.
Ajo ka thënë se shpreson që të gjithëve do të ju bëhet e qartë se bashkësia ndërkombëtare është e sfiduar rëndë nga problemi i migracionit legal. Në veçanti shteteve në regjionin rreth detit Mesdhe duhet tu ndihmojnë shtetet e Zonës së Schengenit.