Fokusi i bisedimeve ndërmjet këshilltares zvicerane Sommaruga dhe homologut të saj nga Maqedonia ishte funksionimi i sistemit ligjor zviceran.
Jashari ka shprehur interesim të veçantë për reformat dhe masat që po ndërmerren në Zvicër për të garantuar pavarësinë dhe transparencën e gjyqësorit në vendin e tij.
Të dy ministrat diskutuan gjithashtu për mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe penale. Në fakt ishte biseduar se si Zvicra mund të mbështesë Republikën e Maqedonisë në përpjekjet e saj për reforma në drejtësi.
Po ashtu thuhet në një njoftim nga kabineti i Sommaruges në Bernë se janë diskutuar çështjet në fushën e noterisë dhe sistemit të arbitrazhit.
Ministrja zvicerane Sommaruga ka potencuar në takim se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve kanë ekzistuar për dekada të tëra dhe se Zvicra është tani shtëpi për më shumë se 90 mijë qytetarë të Maqedonisë.