Skandalet për Skënderbeun nuk kanë përfunduar. UEFA ka publikuar së fundmi emra zyrtarësh të këtij klubi të cilët pas hetimeve të bëra kanë rezultuar të lidhur me kompanitë e basteve, shkruan albinfo.ch.
Në raportin e Inspektorëve të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA, thuhet se gjatë viteve të fundit Skënderbeu ka manipuluar mbi 50 ndeshje ndërkohë që bie në sy dhe emri i ish-ministrit të Financave dhe financuesit të klubit korçar, Rivdan Bode, i cili së bashku me presidentin aktual, Ardijan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.
Në raportin e Inspektorëve të UEFA-s shkruhet se Skënderbeu ka qenë i përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në veprimtarinë e fiksimit të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë gjashtë viteve të fundit. Janë mbi 50 ndeshje të manipuluara nga Skënderbeu mes të cilave 5 nga Liga e Kampionëve, dy nga Liga e Evropës, 41 Superliga e Kupa e Shqipërisë dhe gjashtë ndeshje miqësore.
“Sistemi i Detektimit të Mashtrimeve të Basteve, me saktësi ka konfirmuar para panelit se klubi Skënderbeu ka qenë i përfshirë vazhdimisht në aktivitete manipulimesh rezultatesh në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare në 6 vitet e fundit. Sistemi arrin në konkluzionin se të paktën numri në vijim i ndeshjeve është manipuluar për qëllime fitimit të paligjshëm nëpërmjet basteve: 5 ndeshje të Ligës së Kampioneve, 2 ndeshje të Europa League, 41 ndeshje të Kampionatit Shqiptar dhe Kupës së Shqipërisë si dhe 6 ndeshje miqësore”, shkruhet ndër të tjera në argumentimin e UEFA-s.