Në tregun e punës në Kantonin e Tiçinos punojnë gjithnjë e më shumë të huaj që nuk kanë leje të rregullt pune. Këtë gjendje e kanë konstatuar përmes kontrolleve të përbashkëta që kanë bërë kohëve të fundit shefat e kompanive të ndërtimit dhe sindikatat, bën të ditur srf.ch
Vetëm gjatë vitit 2016 me këtë bazë janë gjobitur më shumë se 1000 kompani, konstatojnë autoritetet e kantonit. Sipas tyre ndërkohë nga punëdhënësit dhe punëmarrësit po përdoren edhe metoda të reja për t`u ikur detyrimeve ligjore.
Sipas rregullave në fuqi, sot një kompani e huaj mund ta dërgojë një punëtor për të punuar atje më së gjati 90 ditë, transmeton albinfo.ch. Mirëpo po ndodh gjithnjë më shpesh që njerëzit e njëjtë, edhe pas kalimit të afatit të përmendur të hasen në kantierin e firmës së njëjtë, të paraqitur si të punësuar nga një firmë ndërmjetësuese e punës.
Për këtë arsye, sindikatat dhe punëdhënësit e ndërtimtarisë kërkojnë që këto boshllëqe ligjore të mbyllen.