Shkak i grevës është bërë shkarkimi nga puna që udhëheqja nacionale e sindikatës i ka bërë shefit të seksionit të kësaj sindikate për Bernën, Roland Herzog. Po ashtu grevistët kërkojnë nga udhëheqja të japë sqarime për vërejtjen që ajo i ka shqiptuar njërit nga të punësuarit, bashkëkryetar i komisionit për personel të UNIA-s në nivel nacional.
Ky i fundit është Nazmi Jakurti, punëtor shumëvjeçar i kësaj sindikate, mediator dhe aktivist i njohur i komunitetit shqiptar.
Një takim i gjatë, i realizuar të premten në mes të grevistëve dhe udhëheqjes nacionale të UNIA-s nuk ka dhënë rezultat. Të dyja palët kanë ngulur këmbë në qëndrimet e tyre të para.
Grevistët kërkojnë heqjen dorë nga shkarkimi i shefit të seksionit të Bernës ndërsa udhëheqja nacionale, insiston se shkarkimi nuk do të jetë temë e negociatave.
Palët kanë dalë mbrëmë para medieve me qëndrimet e tyre. E vetmja çështje për të cilën ata janë marrë vesh, është që deri të martën, për kur është lënë takimi i dytë, të mos komunikojnë me gazetarët, raportojnë mediet e këtushme.