Përcjellja mjekësore e personave të huaj që dëbohen me dhunë nga Zvicra përmes rrugës ajrore është siguruar për deri në fund të vitit. Ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga e ka vazhduar edhe për gjashtë muaj të tjerë marrëveshjen me firmën Oseara GmbH. Por mbetet e paqartë se si do të veprohet nga fillimi i vitit 2014 kur marrëveshja nuk do të jetë më e vlefshme, ka thënë shefi i Oseara-s Adrian Businger për mediet e Zvicrës.
Gëzon fakti se është siguruar zgjidhja për gjashtë muajt e ardhshëm, ka thënë ai. Por firma është e interesuar të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm bashkëpunimin me Entin ferderal për Migracion (BFM). Businger ka theksuar se firma që udhëheq ai disponon me resurset e nevojshme për ketë detyrë të vështirë „si nga aspekti mjekësor ashtu dhe nga ai etik“.
Oseara në prill të vitit 2012 pati marrë nga qeveria, në kuadër të një pilot projekti, detyrën që të bëjë mbikëqyrjen mjekësore të të dëbuarve me dhunë. Ajo ishte e vetmja firmë konkurruese që kishte plotësuar kriteret profesionale për këtë.