Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka thënë për Express se 7 nga rastet që u konfirmuan të martën mbrëma janë familjarë të dy të prekurve të mëparshëm në fshatin Smrekovicë.
“Mbrëmë u konfirmuan edhe tetë raste në fshatin Smrekonicë. Shtatë prej tyre janë familjarë të dy personave që janë konfirmuar më herët, ndërsa personi i tetë është nga po i njëjti fshat, por që ka pasur kontakte me familjen në fjalë.
Meholli ka treguar se janë në fazën e hulumtimit të kontakteve që personat e prekur me koronavirus mund të kenë pasur me familjarë apo banorë tjerë të fshatit.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës është duke i gjurmuar personat që kanë mundur të kenë pasur kontakte me të prekurit. Momentalisht nuk kemi ndonjë shifër, sepse jemi në hulumtim e sipër pasi rastet u konfirmuan mbrëmë vonë”, ka thënë Meholli.
Ndërkohë, Sylejmani ka theksuar se të martën Ministria e Shëndetësisë i ka furnizuar me materiale shpenzuese Qendrat e Mjekësisë Familjare në Vushtrri.
“Dje kemi marrë furnizime nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe me mjete vetjake jemi furnizuar. Po presim që të furnizohemi edhe gjatë ditëve në vijim me materiale shpenzuese për QKMF-të e Vushtrrisë”, ka theksuar Mehollu.
Ndërkohë, deri më tani në Kosovë numri i personave të prekur me COVID-19 ka shkuar në 184, derisa janë shëruar 30 dhe të vdekur 5 persona, shkruan GE, përcjell albinfo.ch.