Megjithëse Bill Gates nuk ka qenë kurrë fermer për çështjen e blerjes së tokave, mediat po e quajnë tashme “Bill fermeri”. Njeriu i tretë më i pasur i planetit nuk ka drejtuar kurrë njerëz që kultivojnë drithëra apo perime, e megjithatë ai po vlerësohet si pronari më i madh i tokave në SHBA, që prej blerjes së rreth 60 km katrorë tokë bujqësore për $171 milionë në perëndim të Uashington, në vitin 2018. Territori ishte më parë tokë tradicionale e popullsisë aborigjene vendase Yakama.
Në total, Gates zotëron rreth 1000 km/katrorë tokë bujqësore me një vlerë prej $690m. E thënë ndryshe, një amerikan i bardhë zotëron më shumë tokë se i gjithë Kombi i Indianëve Amerikanë në SHBA, transmeton TCH, përcjell albinfo.ch.
Sipas analizës së britanikes TheGuardian, toka bujqësore në SHBA është pushtet, pasuri, supremaci, dhe akumulimi i saj nga dikush ka të bëjë me shpronësimin e dikujt tjetër. Sipas ligjit amerikan të vitit 1862, 1 milion kilometra katrorë tokë iu lanë komuniteteve indigjene amerikane, që është rreth 10% e tokës në SHBA. Me të drejtë komunitetet zezake, aziatike e të tjera u përjashtuan nga programi.
The Guardian shkruan më tej se epoka aktuale dominohet nga super-të pasurit, kriza e klimës dhe ‘kapitalizmi i gjelbër’. Zhvillimi vjen në një kohë kur libri i ri i Bill Gates “Si të evitojmë katastrofën klimatike” e pozicionon atë si një lider të mendimit për të ndaluar gazet me efekt serë dhe të mënyrave sesi mund të financohet “revolucioni i gjelbër global”, për të ndihmuar fermerët e varfër të zbusin ndryshimet klimatike.
Kur u pyet në një diskutim për librin e tij përse po blinte kaq shumë toka bujqësore, Gates tha: “Kjo nuk ka lidhje me ndryshimet klimatike, vendimi vjen nga grupi im i investimeve”.
Gates i referohet grupit të tij Cascade Investment, e cila bën blerjet, dhe thotë se “mbështet bujqësinë e qëndrueshme”. Në vitin 2017, grupi i Gates bleu 61 ferma të veçanta nga një kompani kanadeze për 500 milionë dollarë.
Në librin e tij Bill Gates thotë se ka frikë të hajë hamburgerë, edhe pse kompanitë e tij bujqësore të mishit prodhojnë vetëm për vendet e pasura dhe emetimet e tyre të karbonit të atmosferë nuk kanë të bëjnë me dietën e tij personale.
1% më të pasurit e botës emetojnë karbon në atmosferë sa për 50% më të varfrit, sipas llogaritjeve te Oxfam për vitin 2020. Sipas revistës Forbes, miliarderët e botës rritën pasurinë e tyre me 1,9 triliardë në vitin 2020, kurse rreth 22 milionë punonjës në SHBA humbën vendet e punës.
Pra ashtu si dhe pasuria, pronësia e tokës po përqendrohet në gjithnjë e më pak duar, çka do të çojë në aplikimin e monokulturave dhe fermave industriale, për të gjeneruar gjithnjë e më shumë fitime. Një përqind e fermave të botës kontrollojnë 70% të tokave bujqësore të botës, thuhej në një raport, dhe ndryshimet më të mëdha në këtë aspekt kishin ndodhur në SHBA.
Rreziku kryesor i pronarëve të tokës si Bill Gates nuk është mbështetja e tyre e supozuar për bujqësinë e qëndrueshme apo punën e tyre filantropike, por stili monopolistik i përcaktimit të sistemit tonë të ushqimit dhe të mënyrës së përdorimit të tokës.
Fermerët e vegjël dhe pronarët aborigjenë janë të kujdesshëm me përdorimin e tokës pasi ata nuk e përdorin për të pritur “fitim nga investimi” por ruajtjen e saj për gjeneratat e ardhshme. Prandaj toka e zotëruar nga popujt indigjenë, i sjell planetit rreth 80 përqind të biodiversitetit të saj, në një anatemë të thellë me bujqësinë industriale.
Personat e zakonshëm nuk kanë asgjë të përbashkët me pronarë si Bill Gates e Ted Turner në SHBA. Toka apo planeti nuk duhet të jetë pronë e disa njerëzve të vecantë. Evazioni fiskal i pamasë i këtyre titanëve të industrisë i tejkalon shumë herë veprat e tyre të supozuara të bamirësisë. Mentaliteti i tipit “miliarderët e dinë më mirë” e merr bazën e tij nga realitetet kolonialiste e të supremacisë së bardhë, duke hedhur poshtë ata që e dinë vërtet më mirë, sesi përdoret apo jetohet me tokën. Këta miliarderë nuk kanë asgjë për të ofruar në shpëtimin e planetit përveçse të marrin tokën tonë.
Nga Nick Estes, profesor i studimeve amerikane në SHBA, anëtar i popullsisë aborigjene vendase Lower Brule Sioux Tribe (The Guardian, përgatiti: Andi Lamko)