Gjashtë nga dhjetë persona në Zvicër janë kundër përdorimit të opsionit të gjinisë së tretë në dokumentet zyrtare, tregon një sondazh. Mosmiratimi ishte më i theksuar tek meshkujt sesa tek femrat.
Në përgjithësi, 57% e popullsisë kundërshtoi përfshirjen e një gjinie “të ndryshme”, tregon një sondazh i ri i publikuar të hënën. Një vit më parë, shifra ishte 62%.
Nga gratë zvicerane të anketuara, 43% do të ishin të lumtura të kishin një opsion “të larmishëm” në dokumentet zyrtare, i cili tashmë është futur në Gjermani. Ky është një nga përfundimet e një sondazhi të kryer nga Instituti Leewas në emër të tabloidit 20 Minutes dhe Tamedia. Tek meshkujt kjo shifër ishte 35%.
Për sa u përket subjekteve politike, Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë ishte më së paku në favor të shtimit të një shënuesi të tretë të identitetit gjinor (16%). Social Demokratët e majtë (67%), të Gjelbërit (64%) dhe Partia e Gjelbër Liberale e qendrës së djathtë (58%) ishin më të hapura. Me 39% dhe 37% miratim, Partia Radikale-Liberale e qendrës së djathtë dhe Partia e Qendrës ishin afër mesatares kombëtare, transmeton albinfo.ch.
Sipas anketës, pothuajse nuk kishte dallime midis qyteteve, qendrave urbane dhe zonave rurale. Miratimi në qytete (36%) ishte një pikë përqindje më i ulët se në zonat e tjera.
Për sa i përket moshës, refuzimi i formës së gjinisë së tretë është më i theksuar tek moshat 35 deri në 49 vjeç (59%), pasuar nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 34 vjeç (58%). Me 56%, moshat 50 deri në 64 vjeç janë më mendjehapurat.
Për sa i përket arsimit, akademikët ishin më të hapur ndaj idesë së një treguesi të gjinisë së tretë, me 52% pro. Në të kundërt, 61% e njerëzve me të cilët kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm, ose shkollën profesionale ose tregtare hodhën poshtë idenë e një opsioni “të larmishëm” në dokumentet zyrtare.
Gjithsej 12,444 persona morën pjesë në sondazhin online nga e gjithë Zvicra. Marzhi i gabimit ishte 2.2 pikë përqindje.