Se të huajt në Zvicër parapëlqejnë të majtën në skenën e këtushme politike është një gjë e ditur botërisht. Por, një studim i publikuar dje e mbështet këtë edhe shkencërisht. Shumica e të huajve, sikur te kishin të drejtë vote do të votonin për Partinë Socialdemokrate (SP/PS) 28.5% dhe të Gjelbrit 17.8%.
Këto shifra i ka nxjerrë studimi i realizuar nga Andreas Ladner profesor i Universitetit të Lozanës, dhe i ka publikuar gazeta “NZZ am Sonntag”.
Për partinë populiste të djathtë (SVP/UDC) do të votonin 14.3 për qind të të huajve, për FDP/PLR-në 13.9% dhe për CVP/PDC-në, 9%.
Është interesante se sidomos të huajt e ardhur nga Gjermania parapëlqejnë të majtët dhe të gjelbrit e politikës zvicerane. Nga ana tjetër, të huajt e ardhur nga vendet ish komuniste kanë më shumë preferenca të djathta.
Sa i përket hyrjes së Zvicrës në BE, qëndrimi i të huajve është më pozitiv se sa i zviceranëve por jo dhe aq i shprehur, gjegjësisht vetëm 25% e tyre janë pro anëtarësimit eventual të Zvicrës në BE.