Izraeli po sigurohet që ka furnizim të mjaftueshëm me vaksina, në rast se nevojitet një raund i katërt inokulimesh.
Kjo, sipas zyrtarit më të lartë shëndetësor të vendit.
“Ne nuk e dimë se kur do të ndodhë. Shpresoj shumë që nuk do të jetë brenda gjashtë muajsh dhe se doza e tretë do të zgjasë më gjatë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Nachman Ash, në një intervistë për Radio 103FM.
Izraeli, i cili ka përdorur kryesisht vaksinën Pfizer, deri më tani ka vaksinuar rreth 2.8 milionë njerëz me dozën e tretë.
Zyrtarët shëndetësorë izraelitë mbrojnë tezën e një doze përforcuese. Sipas tyre, efektet e dozave fillestare dobësohen pesë muaj pas vaksinimit.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe po ashtu po planifikojnë inokulimin e dozave përforcuese.
Evropa po merr në konsideratë edhe dozimin e tretë.