Prokuroria Federale është duke zhvilluar hetime kundër një personi të dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste. Fjala është për një shtetas turkozviceran me banim në Arbon të kantonit Thurgau i cili dyshohet se i është bashkuar në Siri organizatës terroriste Al-Nusra-Front.
Të mërkurën kryeprokurori federal Michael Lauber në emisionin “Rundschau” të Televizionit Publik të Zvicrës SRF ka vërtetuar rezultatet e hulumtimeve që në këtë drejtim kishin bërë gazetarët e SRF dhe “Stutgarter Nachrichten”.
Sipas këtyre hulumtimeve del se personi në fjalë e ka marrë me vete edhe bashkëshorten e tij, një gjermane të konvertuar në islam dhe e ka mbajtur kundër dëshirës së saj në Siri, ku po zhvillohet në luftë brutale civile.
Krahas prokurorisë zvicerane, hetime ndaj personit të përmendur është duke zhvilluar edhe Enti i kriminalistikës i landit Baden-Württemberg.