Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm shpreh shqetësimin e saj me vendimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës të cilat thellojnë tutje politizimin e shërbimit të jashtëm.
“Vetëm gjatë tri ditëve të fundit dhe përkundër funksionimit si Qeveri në detyrë, janë proceduar mbi 70 vendime gradimesh, përfshirë edhe një numër vendimesh për dërgim në mision jashtë vendit. Në këtë valë emërimesh, një numër i vogël i vendimeve rreth kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e avancimit në gradë, janë përfshirë vetëm sa për të kamufluar pjesën tjetër të vendimeve tërësisht jomeritore, të kundërligjshme dhe abuzive”, thuhet në reagim, transmeton albinfo.ch.
SHSASHJ ka analizuar se shkelja e qëllimshme dhe keqinterpretimi i normave të legjislacionit në fuqi po vijon edhe këto ditë me vendimmarrje nëpër një proces kundërligjor. SHSASHJ apelon të kjo qeveri në detyrë, dhe te çdo qeveri e ardhshme që sundimi i rendit ligjor është parakusht për çfarëdo integrimi euro-atlantik.