Policia belge së fundmi ka raportuar një atentat me armë zjarri, i cili dyshohet se është bërë për motive gjakmarrjeje të dielën në Belgjikë, transmeton albinfo.ch.
Mediat belge kanë shkruar se i plagosur ka mbetur Agustin Kaza, 44-vjeçar, me shtetësi shqiptare, i cili është qëlluar me armë zjarri nga një bashkatdhetar, i cili pas krimit, mendohet se është arratisur në Shqipëri.
Ndërkohë ngjarja ka ndodhur në tarracën e një lokali në Bruksel. Viktima, sipas autoriteteve përgjegjëse, është në rrezik për jetën.
“Policia u njoftua për të shtëna në tarracën e një kafeneje në Joseph Brandstraat në Schaarbeek të dielën, në mbrëmje, më 28 prill, rreth orës 22:30”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Audrey Dereymaeker. “Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, gjetën një burrë të plagosur nga të shtënat me armë zjarri”, thuhet në raport.
Referuar policisë, viktima është qëlluar me disa plumba në pjesën e kokës dhe gjoksit.