Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të përkushtuar akademik, mjeku stomatolog Besnik Shehu ka arritur një nga kulmet e karrierës së tij profesionale. Ai ka përfunduar me sukses studimet trevjeçare në Masterin Europian të Implantologjisë, një program elitar i organizuar nga European Association for Osseointegration (EAO), shkruan albinfo.ch.
Ky program përfshiu një përvojë të rrallë akademike në gjashtë universitete nga më prestigjiozet e kontinentit, në Suedi, Holandë, Gjermani, Zvicër, Spanjë dhe Portugali.
Me këtë arritje, Shehu mban me krenari titullin Master Europian në Implantologji, duke u bërë pjesë e një rrethi të ngushtë profesionistësh të nivelit më të lartë në fushën e implantologjisë dentare.
“Përfundimi i studimeve trevjeçare të masterit në gjashtë universitetet më të njohura europiane në kuadër të EAO është një dëshmi se përkushtimi dhe pasioni hapin çdo derë,” është shprehur Shehu me rastin e diplomimit të tij në Monte Carlo.
Ky sukses nuk është vetëm një kapitull i ri profesional për të, por edhe një shembull frymëzues për gjeneratat e reja të mjekëve shqiptarë, duke dëshmuar se me punë dhe vendosmëri, mund të arrihet në nivelet më të larta të ekselencës europiane./ Albinfo.ch
