Ekipi Kombëtar i Shqipërisë në Fitness dhe Bodybuilding ka arritur sukses të rëndësishëm në Kampionatin Evropian 2026, duke fituar një medalje ari dhe një medalje argjendi në garat e zhvilluara nga 29 prill deri më 3 maj në Santa Susana të Spanjës.
Sipas Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), delegacioni kuqezi u përfaqësua nga pesë sportistë, të cilët dhanë paraqitje dinjitoze në disa kategori.
Suksesi më i madh erdhi nga Dion Haxhiaj, i cili u shpall kampion evropian duke fituar medaljen e artë në kategorinë “Men’s Physique Junior” (–20 vjeç).
Ndërkohë, Edmond Met’hasani siguroi medaljen e argjendtë në “Men’s Classic Bodybuilding” (–180 cm). Ai gjithashtu u rendit i katërti në “Men’s Games Classic Bodybuilding” dhe i pesti në “Men’s Fit Bodybuilding”.
Edhe Bruno Nuho pati paraqitje të mira, duke u renditur i pesti në “Men’s Classic Bodybuilding” (–171 cm) dhe i gjashti në “Men’s Fit Bodybuilding”.
Sportistët Armando Mancaku dhe Antonio Paloka konkurruan në kategoritë e tyre respektive, por nuk arritën të kualifikohen në finalen me gjashtë më të mirët.
Ky rezultat tregon zhvillimin e vazhdueshëm të sporteve të fitness-it dhe bodybuilding-ut në Shqipëri, si dhe angazhimin e sportistëve në arenën ndërkombëtare.