Në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë), sipas portalit të OKB-së.
Siç raporton Monitor nga Tirana, përveç rrudhjes në numër, shihet një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të popullsisë. Piramida tregon se në këtë vit, rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, teksa shihet se është ngushtuar dukshëm baza e piramidës, çka reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve.
Në vitin 2100 numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë, përcjell albinfo.ch.
Një ndër shkaqet e përkeqësimit është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20% e popullsisë së vendit, shumica në Greqi dhe Itali.
Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur 29% deri në 2060-ën. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, Shqipëria nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj.
Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi – 65 vjeç e lart – në periudhën 1989 deri në 2011 është rritur nga 5 në 11%. Në vitin 2017, të moshuarit mbi 60 vjeç zënë 18.8% të totalit të popullsisë.