Bordi Operacional i WBIF (Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor) miratoi një paketë financiare prej 87.7 milionë eurosh për projekte të energjisë së pastër në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë bëri të ditur se këto fonde janë pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në forcimin e rrjeteve të energjisë në rajon.
Investimet përfshijnë përmirësimin e hidrocentraleve ekzistuese dhe zbatimin e sistemeve diellore për ngrohje.
Në Shqipëri, fondet do të fokusohen në modernizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë digjitalizimin e nënstacioneve, rritjen e kapaciteteve dhe reduktimin e humbjeve të energjisë.
Për më tepër, do të bëhen investime në përmirësimin e pajisjeve dhe sistemeve të HEC-it të Fierzës, për të siguruar funksionimin afatgjatë të tij.
Gjithashtu, do të zhvillohet linja ajrore e transmetimit Rrashbull-Unaza e Tiranës, për të përmbushur kërkesat në rritje dhe për të rritur sigurinë energjetike në kryeqytet.
“Pas lajmit të mirë nga Belshi, vjen një tjetër zhvillim pozitiv për rajonin tonë”, deklaroi Delegacioni i BE-së në Tiranë.