Shqipëria është mbuluar nga bora. Vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta nën zero, ndërsa nuk ka munguar dëbora në pjesën malore të territorit dhe pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Në qarkun e Korçës janë regjistruar 4 aksidente brenda disa orëve, për shkak të problemeve që janë shfaqur nga shtresa e dëborës dhe ngrica, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Edhe qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të shumta bore, e shoqëruar edhe me erëra të forta, çka ka sjellë problem me energjinë elektrikë në disa fshatra të Peshkopisë e Bulqizës.
Sipas të dhënave të fundit nga ARRSH, rrugët ku duhet përdorur zinxhir në veri janë Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë Drajë, Peshkopi-Ushtelencë, Qafë Bualli-Krastë.
Me zinxhir qarkullohen edhe akset Krujë-Sari Salltik, Laç-Milot, si dhe në segmentet e Dajtit. Ndërkohë, në jug, qarkullohet normalisht pa zinxhir, me goma dimërore si në Dardhë, në Voskopojë edhe në Qafën e Qarrit.
Vijon të punohet në Qafë Thanë me 4 borëpastruese, si pasojë e borës me intensitet të lartë që bie. Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti, ndërsa në gatishmëri është edhe flota e mirëmbajtjes së rrugëve.