Megjithëse ky sektor në Shqipëri shënoi rimëkëmbje këtë vit, sërish shifrat janë më të ulëta se ato të regjistruara para pandemisë, në vitin 2019. Për periudhën janar- shtator në vend kanë hyrë gati 4.9 milionë shtetas të huaj, me rritje 129% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur vendi ishte në kulmin e pandemisë. Në raport me 9-mujorin 2019 hyrjet e shtetasve të huaj ishin rreth 11% më të ulëta, raporton atsh, përcjell Albinfo.ch.
Turizmi shihet si një burim i rëndësishëm i gjenerimit të të ardhurave dhe krijimit të vendeve të punës.
Para COVID-19, në sektorin e turizmit ishin të punësuar rreth 64 mijë njerëz. Ai kontribuoi me rreth 3.23% në PBB-në e vendit.
Me qëllim mbështetjen e këtij sektori, Qeveria shqiptare do të vendosë në vitin 2022 garanci sovrane në vlerë prej 1 miliard lekësh për turizmin. Kredia e garantuar nga buxheti i shtetit për këtë sektor do të ketë në fokus mbështetjen e investimeve.
Ndërkohë, mbështetje në projektbuxhet merr edhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit për pastrimin e plazheve në 4 qytete për vitet 2022-2024 përkatësisht në masën 200 milionë lekë.
Ndërsa 500 milionë lekë është fondi specifik për financimin e mbetjeve në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore.