Shqipëria arriti që të kualifikohet në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të futbollit të vogël, turne ku mori pjesë edhe Kosova dhe u përfaqësua në mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan albinfo.ch.
Në këtë turne morën pjesë 50 skuadra më të mira të botës, derisa ajka ishte në finalen e turneut të zhvilluar në Sao Paolo të Brazilit, që u organizua nga futbollisti i Barcelonës, Neymar në Akademinë e tij.
Shqipëria që u përfaqësua me skuadrën Vetëtima dhe u shortua në Grupin C, ku arriti të fitojë dy ndeshje me Perunë dhe Kanadanë e Lindjes duke u renditur dhe të 3-tët në grupin e tyre.
Në fazën e dytë, Shqipëria fitoi 5:0 me Turqinë, ndërsa në 1/8 kuqezinjtë mundën po me të njëjtin rezultat Portugalinë. Në çerekfinale, djemtë shqiptarë mposhtën Greqinë 1:0 përpara se të eliminoheshin në gjysmëfinale nga Holanda. Kampione e turneut u shpall Brazili, që mposhti në finale Holandën, ndërsa nëse do të kishte patur takim për vendin e tretë ai do të duhej të luhej mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kapiten i skuadrës shqiptare ishte Denis Hyka, ndërsa katër lojtarët e tjerë ishin Xhuljan Reci, Erald Leci, Klajdi Ibrahimi dhe Jurgen Isaku.
Ky turne ka bërë bashkë shumë shtete të botës, ndërsa Kosova u përfaqësua me dinjitet nga futbollistët e Feniksit, Driton Nishori, Ardiani Hoti, Shqipron Ibrahimi, Fisnik Ejupi dhe Agon Ramadani.
Kosova me futbollistët e Feniksit ka arritur të fitojë dy ndeshje, të barazojë një dhe të humbë vetëm një duke kaluar me sukses në fazën tjetër e më pas u eliminua në penallti. Prapa këtij turneu është ylli brazilian, Neymar i cili e ka shpërndarë një video përmbledhëse të këtij turneu ku shihet edhe futbollisti kosovar, Dardan Topilla.
