Banka Botërore publikoi të martën raportin vjetor “Si të bësh biznes” (Doing Business) për vitin 2013, ndërsa në ranglistën e vendeve me interes për biznes, Shqipëria ka rënë për dy vende, nga vendi i 83 në 85, ndërsa Kosova është ngritur për 19 vende, nga vendi 117 në vendin 98. Serbia ndërkaq është radhitur në vendin 86.
Ndonëse Shqipëria ka humbur dy vende, bashkautorja e studimit të Bankës Botërore, Tea Trumbiç thotë se vendi ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm. Në raporton “Doing Business” Shqipëria është radhitur në vendin e 85 nga 185 vendet e përfshira në klasifikimin e përgjithshëm të raportit “Si të bësh biznes”.
Një nga arsyet kryesore për këtë rënie, sipas BB, janë hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Sipas autores së raportit, për tri vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. Ndërsa një tregues ku çalon jo vetëm Shqipëria por mbarë rajoni i Ballkanit, sipas Trumbiç, është ai i energjisë.
“Një tregues tjetër ku Shqipëria duhet të bëjë përparim janë pagesat e taksave. Kjo është një fushë ku e dimë se qeveria po punon në mënyrë aktive. Vumë re miratimin e një reforme këtë vit që pakëson disi kohën e pagesës së taksave për shkak të lehtësirave të propozuara për të paguar taksat online”, thotë ajo.
Raporti vjetor i Bankës Botërore “Doing Business” klasifikon vendet sipas 10 treguesve ku përfshihet shpejtësia e regjistrimit të një biznesi, pagesa e taksave, regjistrimi i pronës, tregtia ndërkufitare si dhe zbatimi i kontratave.
Ndërsa ndryshe nga Shqipëria, Kosova ka bërë një ngrije të konsiderueshme në ranglistën e vendeve për të bërë biznes më të kollajshëm. Raporti ““Doing Business” e ngritë Kosvën për 19 vende më lartë, nga venti 117 në vendin e 98. “Por, ende nuk janë marrë parasysh të gjitha reformat dhe ende kemi shumë punë për të bërë. Sidoqoftë, përfundimisht jemi në numër dyshifror 98”, ka thënë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, citon KP.
Ajo thotë se në raportin e BB-së për vitin 2014, Kosova do të jetë në 40 vende reformatore të Bankës Botërore në indeksin e të bërit biznes. Në këtë raport, Serbia ndodhet vetëm një vend pas Shqipërisë në vendin 86.