Shqipëria dhe Kosova kanë pësuar rënie në renditjen e FIFA-s për muajin nëntor pas humbjeve të fundit, shkruan albinfo.ch.
Shqipëria humbi dy vende në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin e fundit, gjatë të cilit u mund 3-0 nga Izraeli në Elbasan.
Kuqezinjtë renditen në vendin e 49-të, dy pozicione më poshtë se një muaj më parë. Renditja në vendin e 49-të shënon edhe pozicionimin më të keq në vitin 2016 që skuadra e Gianni De Biasit e nisi në vendin e 38 në renditjen globale.
Për sa i përket Kosovës, përfaqësuesja më e re e kontinentit ka humbur një vend në renditje pas humbjes që pësoi në “Antalya Arena” të Turqisë duke u klasifikuar e 165 në botë në klasifikimin e FIFA-s.