Në Shqipëri rritja ekonomike përgjatë vitit 2020 vlerësohet të ketë shënuar një rënie prej 3.31 për qind, sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave. Niveli i Prodhimit të Brendshëm Bruto rezulton të jetë më lart edhe se sa vetë pritshmëritë e Qeverisë shqiptare dhe dukshëm në diferencë me ato të institucioneve financiare ndërkombëtare. Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar ishin për një recesion në kuotat e –7.5 për qind, ndërsa ato të Bankës Botërore për -6.7 për qind.
Ekonomia shqiptare mori një goditje të parë që në dimrin e vitit 2019, për shkak të tërmetit të fortë që ra në nëntor. Për pasojë në tremujorin e parë, aktiviteti ekonomik zbriti në -2,52 për qind, ndikuar pjesërisht dhe nga efektet e pandemisë COVID 19 e cila ishte në fillimet e saj. Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rënie të forte më pas, në tremujorin e dytë të vitit, duke u tkurrur me 10.29 për qind, si pasojë e mbylljes së gjithanshme të aktiviteteve jo vetëm në vend, por dhe në pjesën tjetër të botës, si përpjekje për parandalimin e pandemisë. Me përjashtim të bujqësisë dhe sektorit të pasurive të patundshme, të gjitha degët e tjera të ekonomisë rregjistruan rënie të forte, e cila u zbut në tremujorin e tretë, kur ekonomia u tkurr me -3.47 për qind.
Të dhënat e sotme të INSTAT-it tregojnë së në tremujorin e fundit ekonomia vendase shënoi një kthesë, duke dalë nga terreni negativ, e duke shënuar një rritje prej 2,99 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019. Pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë patën një aktivitet pozitiv, të udhëhequra nga ndërtimi, i cili u rrit me 18,48 %. Ky është dhe sektori me një peshë specifike në strukturën e PBB-së, duke kontribuar me 1.84 pikë përqindje.
Përjashtim në këtë tremujor bëri grupi i aktivitetiteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, me një rënie prej 5.51 për qind, por dhe aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me -2,91 për qind./VoA