Katastrofa natyrore që preku rajonin në perëndim të Athinës dhe shkaktoi 19 viktima kanë sjellë sensibilizimin e jo vetëm qytetarëve grekë, por edhe të emigrantëve shqiptarë, të cilët tashmë janë pjesë e pandarë e komunitetit.
Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, e cila bashkon të gjitha shoqatat e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj është organizuar këto ditë në mbledhjen e ndihmave për të dëmtuarit dhe prekurit nga përmbytjet, shkruan ‘Scan’.
Thirrjes së shoqatës u janë përgjigjur me dhjetëra shqiptarë, të cilët kanë kontribuar me veshje, ushqime, batanije, etj., për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve në Mandra Atikis, përcjell albinfo.ch.
Pikat e grumbullimit të pakove janë caktuar në disa sheshe dhe qendra të Athinës dhe Korinthos, ndërsa procesi do të vazhdojë edhe ditët në vijim.
Nisma është mirëpritur nga të gjithë anëtarët e shoqatës, por edhe nga familjet e të dëmtuarve, të cilët nuk kanë humbur rastin për t’i falënderuar në rrjetet sociale.