Ka shkuar në 29 numri i viktimave të tërmetit, që goditi vendin mbrëmjen e djeshme, ndërsa numri i të zhdukurve ende nuk dihet saktësisht. Në këto momente po nxirren nga rrënojat në Thumanë Pëllumb dhe Çelike Gregu, ndërsa mëngjesin e sotëm humbi jetën dhe djali i tyre, Saimiri, në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.
25-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra, pavarësisht se u nxor i gjallë nga rrënojat. Më herët mëngjesin e sotëm u nxorën po ashtu të vdekur nga rrënojat Klement dhe Hajredin Çupi, djalë e baba, duke e rënduar ndjeshëm bilancin e viktimave.
Mes viktimave të tërmetit me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter ka pasur gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ajo që e bën dhe më të trishtë të gjithë situatën është numri i madh i personave që kanë humbur kontaktet me familjarët.
Dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare, ndërkohë që kryeministri Edi Rama shpalli mëngjesin e sotëm gjendjen e jashtëzakonshme në Thumanë dhe në Durrës.