Kryetari i tashëm, Dino Asanaj, ka paralajmëruar që nga fundi i kësaj jave të paraqesë dorëheqjen e tij te Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Ai do t’i japë kohë Qeverisë që deri më 1 dhjetor t’ia gjejë një zëvendësues.
Në intervistën për “Kohën Ditore” ai ka thënë se arsyet e dorëheqjes nga funksioni që ushtroi për më shumë se tre vjet janë krejtësisht personale.
Ish-përfaqësuesi i UÇK-së në SHBA mohon të ketë presione politike për të lënë në gjysmë procesin e privatizimit.
Ai ka thënë se procesi mori të mbarën pas kalimit të kompetencave nga ndërkombëtaret te vendorët.
Një mal akuzash hedh mbi udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.
Duke mos i mohuar të metat e procesit të privatizimit, një javë para dorëheqjes, Asanaj thotë se procesi i privatizimit është në rrugë të mbarë dhe kësisoj do të përfundojë brenda pesë vjetëve.