Në një atmosferë festive dhe plot emocion, në Shkollën Shqipe Ostermundigen Bern u shënua Pavarësia e Kosovës, në praninë e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, shkruan albinfo.ch.
Programi i organizuar për këtë ditë përfshiu recitime, këngë dhe aktivitete kulturore të përgatitura nga nxënësit, të cilët përmes performancave të tyre sollën mesazhe krenarie dhe dashurie për atdheun.
Organizatorët theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në diasporë, duke e cilësuar shkollën si një vatër të rëndësishme të edukimit dhe trashëgimisë kulturore.
Edhe pse të lindur dhe rritur në Zvicër, nxënësit e kësaj shkolle vijojnë të mësojnë gjuhën amtare dhe të njihen me historinë e kulturën shqiptare, duke forcuar lidhjen me rrënjët e tyre.
Kremtimi i kësaj date simbolike shërbeu jo vetëm si moment reflektimi për sakrificat dhe rrugëtimin drejt lirisë, por edhe si dëshmi e përkushtimit të komunitetit shqiptar në Zvicër për të ruajtur identitetin kombëtar brez pas brezi./Albinfo.ch.
