Shkëndija e Tetovës ka pushtuar edhe Stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup, ku fitoi me rezultat 2:3 me Vardarin, duke e kthyer thjesht në formalitet fitimin e titullin kampion.
Kuqezinjve nga Tetova u duhet vetëm një pikë, nga 24 të mundshme në tetë javët e ardhshme për ta siguruar matematikisht trofeun më të rëndësishëm në futbollin vendor, çka do të thotë se suksesi është i garantuar, përcjell albinfo.ch.
Ndaj rivalit më të fortë në kampionatin e Maqedonisë spikati Ibrahimi me dy gola, ndërsa një tjetër shënoi mbrojtësi Musliu, duke i bërë të pavlefshëm dy golat e Varadrit me autorë Kolevskin dhe Blazevskin.
Kuqezinjtë pritet ta shndërrojnë në festë takimin me Shkupin javën e ardhshme pikërisht në shtëpi para tifozëve tetovare.
Skuadra e Shkëndijës gjithashtu është kualifikuar në finalen e Kupës së Maqedonisë. Pra, është afër dy trofeve të futbollit maqedonas dhe pjesëmarrjes në garat evropiane.