Jahmir Hyka ishte në formë të jashtëzakonshme këtë edicion, duke shënuar gola e duke bërë asistime, derisa u ftua edhe në Kombëtaren shqiptare pas disa vjetësh, shkruan albinfo.ch.
Megjithatë, kohët e fundit nuk ishte shumë në fushë, duke përfunduar në bankën rezervë edhe në tribuna.
Gazeta zvicerane “Luzerner Zeitung” ka intervistuar zëvendëstrajnerin e këtij klubi, Patrick Rahmen, i cili ka folur rreth këtij rasti.
“Gjatë periudhës së fundit, Jahmiri nuk ka luajtur ashtu siç e prisnim ne. Sidomos në fazën e kthimit mbrapa ka shfaqur mangësi. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të kemi nevojë për Jahmirin në të ardhmen”, theksoi zëvendëstrajneri, i bindur se pushimi do t’i bënte mirë mesfushorit shqiptar.
Hyka e nisi sezonin si titullar të Luzerna dhe shënoi tre gola në javët e para të kampionatit. Por, që pas grumbullimit të tij me kombëtaren për ndeshjet e shtatorit, ai nuk ka arritur të paraqitet në nivelet e kërkuara me klubin e tij dhe tashmë rrezikon seriozisht që të vazhdojë sezonin në stolin e rezervave.