Shoqëria Kulturore Artistike “Dardania” nga Zvicra do të performojë në natën finale të Festivalin tradicional folklorik “Hasi Jehon”.
Drejtuesit e festivalit kanë deklaruar se kanë finalizuar përgatitjet për edicionin e 23-të të kësaj ngjarjeje kulturore, që sivjet mbahet nga 2 deri më 4 maj, në fshatin Gjonaj të Prizrenit. Në këtë manifestim të valleve dhe këngëve burimore shqiptare, sipas udhëheqësve të shoqërisë kulturore artistike “Malësori”, në konkurrencën garuese do të paraqiten rreth 20 shoqëri kulturo-artistike nga trojet shqiptare dhe nga mërgata.
“E veçanta e këtij edicioni është se mbahet nën ombrellën e 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ku në fokus do të jetë paraqitja e folklorit shqiptar, që është ruajtur dhe vazhdon të kultivohet në të gjitha trevat shqiptare”, ka thënë drejtori i festivalit, Haziz Hodaj.
Ai ka bërë të ditur se festivali hapet të mërkurën mbrëma me ekspozitat e fotografive të SHKA “Malësori” dhe piktores Kurbina Çollaku, për të vijuar me paraqitjen e pesë SHKA-ve dhe grupeve artistike nga Kosova dhe rapsodëve nga Mirdita e Shqipërisë, ndërkohë që do të interpretojnë edhe dy këngëtarë mysafirë dhe një poete. Në natën e dytë në skenën e fshatit Gjonaj do të performojnë gjashtë SHKA nga Kosova, një nga Kruma dhe një nga Tetova. E në natën finale, të pranishme do të jenë tri SHKA vendore, nga një nga Struga e Tuzi, si dhe SHKA-ja e mërgimtarëve nga Zvicra “Dardania”.
Organizimi i edicionit të radhës të festivalit është mbështetur nga Komuna e Prizrenit, MKRS-ja dhe sponsorë komercialë.