Shitja me pakicë përmes internetit, në Zvicër, po përjeton një rritje të madhe gjatë vitit 2020 pikërisht “falë” krizës së koronavirusit, shkruan srf.ch. Çdo e dyta pikë shitjeje përmes internetit në Zvicër ka regjistruar rritje të porosive prej mbi 20 për qind gjatë krizës së koronës.
Si pikat e vogla të shitjes në internet ashtu dhe ato të mëdhatë, janë duke përfitua nga rritja, transmeton albinfo.ch. Këtë e tregon “Anketa Online e Shitësve me pakicë 2020″ botuar të enjten nga Shkolla e Menaxhimit dhe Drejtësisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara” e Cyrihut (ZHAW).
Rezultati bazohet në një sondazh përfaqësues të 330 dyqaneve zvicerane në internet dhe është realizuar midis 6 majit dhe 13 gushtit të vitit 2020.
Sipas sondazhit, shitësit me pakicë në internet presin që rritja të vazhdojë. Universiteti i Shkencave të Zbatuara Zvicra Veriperëndimore (FHNW) kishte arritur në rezultate të ngjashme me ZHAW, përcjell albinfo.ch.
Në studimin e tij për tregtinë elektronike, të botuar në korrik, parashikonte që zviceranët do të shpenzojnë 13 miliardë franga për blerje në internet këtë vit – 3 miliardë më shumë se në vitin 2019.