Këshilli Federal i Zvicrës nuk e përjashton në parim shërbimin e detyruar ushtarak për gratë. Por, njëherë për njëherë ai nuk synon të ndryshojë asgjë në sistemin ekzistues.
Departamenti i Mbrojtjes do të hulumtojë deri në vitin 2020 se në cilat pika konstatohet mungesë e personelit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga departamenti (ministria) në fjalë, shkruan srf.ch. Ndërsa propozimin që e ka dhënë grupi studimor i emëruar nga Këshilli Federal, për vendosjen e shërbimit të detyruar edhe për gratë ashtu si për burrat, qeveria e vendit e konsideron si të vlefshme për orientim.
Sipas grupit studimor, me rritjen e kërkesave që i imponon koha, shprehet mungesë e personelit të kualifikuar, kështu që për të siguruar bazë më të gjerë të personelit, nevojitet angazhimi edhe i gjinisë femërore.
Propozimi është mbështetur në modelin që e praktikon Norvegjia në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Sipas këtij modeli, parimisht do të ishin të detyruar të shërbenin në ushtri, si burrat ashtu dhe gratë. Por ushtria do t`i angazhonte pastaj në forcat ushtarake ose në mbrojtje civile ata ose ato që i nevojiten.