Në Zvicër janë paralajmëruar mbi pesëdhjetë ngjarje për të shënuar 1 majin, Ditën e punëtorëve. Motoja e protestave të sivjetme të Federatës së Sindikatave të Zvicrës (SGB) është titulluar: “Më shumë mbrojtje, më shumë paga, më shumë pensione”.
Deputeti nacional i Partisë Socialiste (PS) dhe njëherësh kryetar i Federatës së Sindikatave të Zvicrës(SGB), Paul Rechsteiner do të udhëheq me tubimin e paralajmëruar të punëtorëve në Cyrih. Mediat zvicerane kanë paralajmëruar pjesëmarrjen edhe të Kamal Abbas nga Lëvizja e Lirë e sindikatave egjiptiane, njëri prej personave kyç të revolucionit egjiptian.
Cyrihu nga ana tjetër është zotuar se nuk toleron demonstrata të dhunshme për të shënuar 1 majin.
Policia kishte arrestuar qindra demonstrues vitin e kaluar. Këtë vit, policia ka paralajmëruar të njëjtën strategji. Policët kanë marrë urdhrin e qeverisë komunale për të mos toleruar dhunën.