Zyrtarët austriakë kanë bërë të ditura dështime të tjera para incidentit që ka lënë të vdekur katër persona të hënën në mbrëmje në Vjenë.
Kjo situatë ka nxitur shefin kundër-terrorizmit të këtij qyteti, Erich Zwettler, që të largohet nga kjo pozitë.
Policia ka thënë se ai është pezulluar nga detyra me kërkesën e tij, shkruan Rel, përcjell Albinfo.ch.
Deri më tani është thënë se austriakët janë informuar në muajin korrik se i dyshuari ka tentuar të blejë municion në Sllovaki.
Tani austriakët kanë pranuar se sulmuesi është takuar me dy persona nga Gjermania, të cilët veçse kanë qenë duke u vëzhguar.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, ka folur për “gabime të qarta dhe si i konsiderojmë ne, të patolerueshme”.
Ndërkohë një xhami dhe një asociacion xhamie, që janë frekuentuar nga sulmuesi i dyshuar 20-vjeçar, tashmë janë mbyllur, meqë Ministrja për Integrim në këtë shtet, Susanne Raab, ka thënë se të njëjtat kanë kontribuuar në radikalizimin e tij.
Ai ka vizituar vazhdimisht xhamitë në Ottakring dhe Meidling.
Raab ka thënë se qëllimi i terrorizimit është që të krijojë ndasi në shoqëri në mes të myslimanëve dhe jomyslimanëve.
Në orët e mbrëmjes të së hënës, sulmuesi i dyshuari ka nisur sulm me armë zjarri në qendër të Vjenës.