Qeveria e SHBA-ve ka ndarë një donacion prej 1,5 milion dollarë amerikanë në mbështetje të projekteve restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore.
Gjatë dorëzimit të donacionit për Ministrinë e Kulturës, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell, ka thënë se kjo është një ndihmë për Kosovën për të mbrojtur trashëgiminë dhe kulturën e saj.
“Kosova gëzon një trashëgimi të mrekullueshme dhe të shumëllojshme kulturore, që prej gërmadhave ilirike dhe romake, e deri tek kishat dhe manastiret mesjetare serbe, e shtëpitë e bukura në Prizren dhe gjetkë të shekullit 19-të”, ka thënë Dell.
Sipas tij, trashëgimia kulturore nuk është pjesë e rëndësishme vetëm e së kaluarës së Kosovës, por edhe e së ardhmes së saj.
Projektet e përzgjedhura në një konkurrim të hapur e që do të përfitojnë nga ky donacion janë: restaurimi i Kalasë së Vushtrrisë, i Hidrocentralit të vjetër në Prizren, restaurimi i një kishe në Prizren, një kishe tjetër në fshatin Hoçë e Madhe, Shtëpia e Shehzades në Prizren dhe projekti i fundit ka të bëjë me digjitalizimin e freskave në Manastirin e Graçanicës.