Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se dëshiron që të ecë para me qeverinë në detyrë por tha se SHBA kërkojnë një partner në Kosovë që kupton rëndësinë e shmangies së veprimeve destabilizuese, promovimit të stabilitetit rajonal dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Deklarata u bë pas vendimit të Uashingtonit për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Zëdhënësi i ambasadës konfirmoi se e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, ka shprehur shqetësimet drejtpërdrejt në takimet me Kurtin, por nuk dha hollësi mbi veprimet konkrete që çuan në këtë vendim.
SHBA-ja javën e kaluar pezulloi dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.