Në takimin e Këshillit për Energji SHBA-BE u tha se është e rëndësishme që të ketë siguri për furnizim me energji në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes qasjes në burime alternative.
Uashingtoni dhe BE-ja theksuan nevojën për ndërtimin e një sistemi të integruar energjetik në këtë rajon dhe të bëhen reforma në përputhje me politikat e zgjerimit dhe obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
“Këshilli do të vazhdojë koordinimin për tregun e energjisë dhe reformat e rregullatorëve, si dhe do të vazhdojë mbështetjen për ndalimin e çlirimit të dioksid karbonit në Ballkanin Perëndimor, në veçanti nga heqja dorë në mënyrë graduale e prodhimit të energjisë nga qymyri dhe subvencionimet joefikase të lëndëve djegëse fosile”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Tranzicioni drejt energjisë së pastër me zero për qind emetime do të ndihmojë rajonin që në të ardhmen të ketë qasje në energji të përballueshme dhe të sigurt.