Tri doza anticovid rekomandohen tani për disa amerikanë që kanë marrë vaksinën Pfizer. Këshilltarët e FDA votuan për aprovimin e një doze përforcuese imuniteti për qytetarët mbi 65 vjeç.
“Nxisim fuqimisht që të gjitha pikëpamjet e ndryshme të shprehen dhe të diskutohen”, u shpreh Peter Marks, Drejtor i Qendrës për Vlerësime dhe Kërkime Biologjike, raporton CNN, përcjell Albinfo.ch.
Ekspertët e CDC diskutuan efektet e variantit Delta në nivelin e përhapjes së virusit. Shkencëtarët nga Britania dhe Izraeli paraqitën të dhëna se dhënia e një doze përforcuese imuniteti ul nivelin e infeksionit.
“Ne po shohim një përgjigje të fortë imunitare që është e barabartë ose tejkalon shumë reagimin që kemi parë pas dozës së dytë”, deklaroi William Gruber, përgjegjës për testet klinike.
Pfizer dhe kërkuesit e tjerë thonë se studimet e tyre konfirmojnë që njerëzit zhvillojnë mbrojtje të fortë imunitare pas dy dozave të vaksinës, por ai nivel antitrupash fillon të bjerë pas disa muajve. Megjithatë, disa ekspertë po e kundërshtojnë këtë, duke theksuar se nuk ka të dhëna të qarta nëse doza e tretë duhet të aplikohet për gjithë popullatën.