Gazeta amerikan New York Times ka zhvilluar një anketë me 270 kolegje dhe universitete rreth infektimit me Covid-19 të studentëve dhe stafit akademik.
Rezultatet e anketës tregojnë se midis studentëve dhe stafit ka pasur 6.600 infeksione me COVID-19 dhe 14 vdekje të lidhura me koronavirusin.
Mirëpo, qindra universitete ndër 1,000 të kontaktuara nga gazeta, nuk iu përgjigjën pyetjeve të anketës. Po ashtu statistikat nuk përfshijnë shifrat për semestrin e vjeshtës që tashmë ka filluar në disa universitete.
Sipas gazetës, këto të dhëna nuk pasqyrojnë realitetin e plotë.
“Këto të dhëna, që thuajse pa dyshim nuk pasqyrojnë realitetin e plotë, tregojnë rreziqet me të cilat përballen kolegjet në përgatitjet për një vit shkollor në kushtet e pandemisë”, thuhet në shkrimin e NYT, përcjell albinfo.ch.
Zyrtarët amerikanë të arsimit po përpiqen të ndërtojnë modele të ndryshme se si t’i mbrojnë më mirë studentët dhe stafin nga virusi.
Disa universitete i kanë zhvendosur të gjitha leksionet në internet, ndërsa të tjera po zbatojnë një përzierje të mësimit në klasë dhe atë on-line.
Në SHBA, numri i përgjithshëm i të konfirmuarve me COVID-19 është rreth 4,6 milionë dhe i të vdekurve 154,450.