Eliminimi i Baselit në çerekfinalen e Kupës kundër St. Gallen ka lënë gjurmë të mëdha te kampionët në fuqi.
Pas përfundimit të ndeshjes, atmosfera ishte e rënduar. Teksa lojtarët po falënderonin tifozët që kishin udhëtuar për t’i mbështetur, një prej tyre i shprehu hapur pakënaqësinë kapitenit Xherdan Shaqiri.
Kapiteni i Baselit reagoi duke u përfshirë fillimisht në një diskutim në fushë, por më pas situata u qetësua dhe Shaqiri u pa duke buzëqeshur për incidentin.
“Kjo është pjesë e futbollit. As nuk më kujtohet çfarë tha ai”, u shpreh Shaqiri pas ndeshjes, transmeton albinfo.ch.
“Askush nuk është i lumtur kur humbasim, kjo është e kuptueshme. Por nuk ndihmon të krijosh tension. Duhet të qëndrojmë të bashkuar”, shtoi ai.
Kujtojmë se edicionin e kaluar Baseli fitoi Kupën dhe titullin në Zvicër, derisa këtë edicion duket se do të mbetet pa trofe.